Policia e Shtetit ka njoftuar se disa persona të paidentifikuar kanë krijuar adresa të rreme emaili me me emrin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Ilir Proda dhe nëpërmjet tyre, janë prezantuar si struktura për Hetimin e Krimeve Kibernetike.
Sipas policisë, qytetarëve u janë dërguar mesazhe elektronike me përmbajtje kërcënuese, duke i njoftuar se janë në hetim për krime kibernetike ose vepra penale në fushën e narkotikëve, si dhe duke iu kërkuar që të paraqiten brenda 24 orëve, në polici.
Lexo edhe: Kujdes nga mashtruesit në telefon: Ja si ju marrin kontrollin e telefonit dhe si ta dalloni mashtrimin
Njoftimi i policisë: Informojmë se emailet janë false dhe nuk kanë asnjë lidhje me Policinë e Shtetit apo me ndonjë strukturë zyrtare të saj. Policia e Shtetit nuk dërgon kurrë njoftime zyrtare për hetime nëpërmjet emailit; Asnjë strukturë policore nuk kërkon që qytetarët të paraqiten në polici, pa një thirrje zyrtare të firmosur dhe të protokolluar; Qëllimi i këtyre mesazheve është mashtrimi dhe përhapja e frikës tek qytetarët. Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të mos iu përgjigjen dhe të mos shpërndajnë emaile me përmbajtje të tillë. Gjithashtu, informojmë se rasti është në hetim nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Kibernetike, me qëllim identifikimin dhe ndëshkimin e autorëve të kësaj veprimtarie kriminale”.




