Një valë e pazakontë vlerësimesh negative në Google Reviews ka vënë në qendër të vëmendjes disa nga bizneset më të njohura në Shqipëri. Mes tyre përmenden Rozafa Fish City, Ceren Ismet Shehu, Green Coast, Zins, Bana’s dhe Spitali Amerikan, të cilët pretendojnë se janë bërë objekt i një fushate të koordinuar për të dëmtuar reputacionin e tyre online.
Sipas burimeve zyrtare, deri më tani janë depozituar 15 denoncime nga biznese private pranë Policisë së Shtetit. Hetimet po drejtohen nga strukturat e Krimit Kibernetik, të cilat po analizojnë nëse komentet dhe vlerësimet negative janë publikuar në mënyrë të organizuar, me qëllim dëmtimin e aktivitetit ekonomik të këtyre subjekteve.

Autoritetet bëjnë me dije se mbi 200 persona janë identifikuar dhe po verifikohen, pasi dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale ose në Google për të publikuar apo shpërndarë komente negative. Hetuesit po shqyrtojnë nëse këto veprime mund të përbëjnë elementë të veprave penale si manipulimi i tregut, përhapja e informacioneve të rreme, shpifja apo falsifikimi kompjuterik.
Paralelisht me hetimet, autoritetet shqiptare kanë bashkëpunuar me Google për trajtimin e rastit. Sipas informacioneve të deritanishme, platforma ka identifikuar një numër llogarish që dyshohet se janë përdorur në mënyrë joautentike dhe ka nisur rikthimin e vlerësimeve të bizneseve në gjendjen e mëparshme, ndërsa disa llogari janë bllokuar ose kufizuar nga publikimi i komenteve të reja.
Lexo edhe: Kush bën review negative do hetohet nga policia, ja deklarata e Hitës që trazoi rrjetin
Rasti ka hapur një debat më të gjerë mbi fuqinë që kanë platformat e vlerësimeve online në reputacionin e një biznesi. Një numër i madh komentesh negative, veçanërisht nëse janë të koordinuara ose joautentike, mund të ndikojnë drejtpërdrejt te besimi i klientëve dhe te aktiviteti ekonomik i kompanive. Hetimet pritet të përcaktojnë nëse kemi të bëjmë me reagime të vërteta të konsumatorëve apo me një fushatë të organizuar për të manipuluar perceptimin publik.




