Komisioni Europian ka njoftuar në rrjetet sociale se, duke nisur nga 2 gushti, hyjnë në fuqi udhëzime të reja në kuadër të AI Act, të cilat synojnë ta bëjnë inteligjencën artificiale më transparente dhe më të besueshme për qytetarët.
Sipas rregullave të reja, çdo përmbajtje e krijuar nga AI duhet të përmbajë një shenjë të lexueshme nga makinat, ndërsa deepfake-t dhe tekstet e gjeneruara nga AI që trajtojnë tema me interes publik duhet të etiketohen qartë, në mënyrë që përdoruesit të dinë se nuk janë krijuar nga njerëz.
Komisioni Europian kërkon gjithashtu që chatbot-et dhe asistentët virtualë të tregojnë qartë se janë inteligjencë artificiale, duke shmangur çdo konfuzion me një person real. Po ashtu, kompanitë do të kenë detyrimin të informojnë përdoruesit kur AI po analizon sjelljen, fytyrën, zërin apo të dhëna të tjera të tyre.
“Nuk ka më vend për hamendësime. Nuk duhet të pyesni më nëse ajo që shihni është e vërtetë apo e krijuar nga AI“, është mesazhi që përcjell Komisioni Europian përmes kësaj nisme.
Me këto masa, Bashkimi Europian synon të vendosë standarde më të larta transparence dhe të mbrojë qytetarët nga manipulimi, dezinformimi dhe përdorimi i fshehtë i inteligjencës artificiale në hapësirën digjitale.




