Shkencëtarët kanë treguar se ngjyrat ndikojnë tek emocionet tona, duke na bërë më të qetë apo më nervozë. Një nga më të famshmet është Baker Miller Pink, një nuancë e veçantë rozë që, sipas studimeve të viteve ’70, ulte agresivitetin dhe promovonte qetësi. Për këtë arsye, u përdor në burgje, spitale dhe madje edhe nga disa ekipe futbolli për të “zbutur” kundërshtarët.

Psikologu Alexander Schauss ishte i pari që zbuloi efektet e saj dhe sugjeroi përdorimin e ngjyrës në hapësira të mbyllura. Ai pretendonte se kjo nuancë rozë ndihmonte në uljen e tensionit, të pulsit dhe madje të oreksit. Rezultatet ishin aq të famshme sa disa burgje në SHBA dhe Zvicër i lyen qelitë me këtë ngjyrë, duke besuar se do të reduktonin sjelljet agresive.
Lexo edhe: Shkencëtarët zbulojnë një ngjyrë krejtësisht të re që njerëzit nuk e kanë parë kurrë më parë
Megjithatë, kërkimet e reja nuk arritën të konfirmojnë efektet e njëjta. Studimet moderne treguan se Baker Miller Pink nuk ka ndikim të matshëm në presionin e gjakut apo sjelljen agresive. Përkundrazi, disa të burgosur e panë si një element poshtërues që cenonte identitetin e tyre mashkullor. Sot, kjo ngjyrë mbetet më shumë një kuriozitet kulturor sesa një mjet real shkencor për qetësim.




