Të mërkurën në New York, dhjetëra prindër dhe aktivistë protestuan para selisë së kompanisë Meta, duke kërkuar më shumë masa mbrojtëse për fëmijët në platformat e saj sociale. Mes pjesëmarrësve kishte edhe familjarë të të rinjve që kanë humbur jetën si pasojë e vetëvrasjes, të cilët fajësuan kompaninë për mungesë përgjegjësie në raport me sigurinë online.
Protesta erdhi vetëm një javë pasi dy ish-punonjës të Metës, të angazhuar në departamentin e sigurisë, dëshmuan para Senatit amerikan. Jason Sattizahn dhe Cayce Savage thanë se kompania kishte urdhëruar studiuesit e brendshëm të shmangnin çdo hulumtim që mund të provonte dëmet e mundshme që produktet e realitetit virtual mund t’u shkaktonin fëmijëve.

Sipas tyre, Meta ishte e vetëdijshme për këto rreziqe, por zgjodhi të mos i bëjë publike, duke mbrojtur interesat e biznesit mbi shëndetin e fëmijëve. “Kompania nuk donte prova që do të cenonin imazhin e saj publik,” deklaruan ata.
Lexo edhe: Zuckerberg zbulon syzet e reja inteligjente të mundësuara nga inteligjenca artificiale
Meta, nga ana tjetër, ka mohuar kategorikisht akuzat, duke i quajtur ato “të pabaza dhe nonsens”. Zyrtarë të kompanisë thanë se mbrojtja e të rinjve mbetet një prioritet dhe se po punohet vazhdimisht për të zhvilluar mjete dhe politika të reja sigurie.
Ky rast ka ndezur një tjetër debat të madh në SHBA për përgjegjësinë ligjore të gjigantëve të teknologjisë dhe nevojën për ligje më të rrepta mbi mbrojtjen e fëmijëve online.
1 Comment
Pingback: Skandal tek Meta: Foto të vajzave të mitura në uniformë shkollore përdoren për reklama në Instagram - Technews.al